
Tirana arriti të fitonte sot kundër Kastriotit, falë një goli të shënuar nga Erion Hoxhallari. Mbrojtësi bardheblu i dha fitoren ekipit të tij duke e mbajtur jo vetëm në garën për Europën, por edhe për titullin kampion.
Pas triumfit 1-0 ka folur edhe trajneri Orges Shehi, që veç të tjerash, tregoi edhe momentin e tensionit ku miqtë patën pretendime për mungesë fair-play. Në fjalën e tij për Supersport, tekniku i kampionëve të Shqipërisë u shpreh:
"Nuk jemi skuadër anti fair-play, jemi më shumë seç duhet. Kur ka pasur ndërprerje e kemi nxjerrë topin jashtë. Këtë duhej ta kishte bërë gjyqtari. Momentin në fjalë s'e kam parë se po orientoja lojtarët e mi për të krosuar nga linja e dytë. Lojtarët e Tiranës, asnjëri s'e ka pasur mendjen aty. Futbollistët kishin si detyrë të çonin topin në shtyllën e dytë. Hoxhallari bëri shumë mirë, Tozhevski mund të bënte edhe më mirë.
Derbi dhe Laçi? Sigurisht që është javë e rëndësishme për ne. E dinim që do të ishte ndeshje e vështirë. Derbi dhe Laçi s'do të kishin vlerë pa këtë. Deri diku e kemi në këmbë tona. Duhet të bëjmë maksimumin për të qenë brenda objektivat. Pishman kisha Kukësin, ndërsa sot kam pikët e lëna me Ballshin. Megjithatë le të shohim të ardhmen sepse me të shkuarën vetëm i fusim siklet vetes.
Titulli apo Europa? Sigurisht që është ndeshje e radhës dhe afrohemi me pikë. Kur them në këmbë tona, shoh kundërshtarin që kemi më afër. Të paktën të kapim objektivin minimal, Europën. Besoj se Europa është objektivi minimal. Të fitosh derbin, distanca ngushtohet dhe do të tentojmë gjithçka për gjithçka.
Unë s'jam marrë kurrë as me kundërshtarë dhe me as gjyqtarët. Jam person që mundohem ta gjej te vetja dhe jo te tjerët. Pas takimit, i dhashë dorën Ndreut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Çdo ekip ka objektiva.
Ndeshjet e orës 19:00? Ne do të shohim punën tonë kur luajmë në një orar. Shpresojmë që rivalët të ndalen. Shpresojmë që distanca të rikuperohet sa më shumë.
Skënderbeu? Po ishalla e mban premtimin Memelli që do ta mundë Partizanin", përfundoi ai.