
Julian Ahmataj ka folur pas humbjes së thellë kundër Partizanit. Trajneri i Skënderbeut deklaroi pas disfatës 4-0 kundër të kuqve:
"Kemi pasur shumë mungesa dhe shumë ndryshime në formacion. Edhe lojtarët që ishin në fushë, kanë pasur probleme gjatë javës. Kur ka shumë ndryshime, çdo gjë shkon keq. Ramë psikologjikisht prej 2 goditjeve standarte. Ra rendimenti i lojës.
Pjesa e dytë? Kemi lojtarë të talentuar që u duhet kohë për vazhdimësinë e ndeshjes. Oshilacionet janë problem i madh. Duhet të punojmë shumë për të mbajtur ritmin. Do të ruajmë ekuilibrin brenda ndeshjes. Një humbje topi ndikon negativisht te performanca e skuadrës. Duhet të mësojmë, të marrim eksperiencë. Nga ana psikologjike duhet të rritemi, pasi cilësitë i kemi për të ecur përpara.
Plan B? Mendoj që në momentet ne jemi shfaqur në këtë mënyrë, kemi qenë shumë cilësorë. Çdo lojtari i japim pozicionet e duhura. Pavarësisht se këtu luanin në një stadium modern, gjërat psikologjike ndikojnë te futbollistët e rinj. Nuk fitohet me fjalë, nuk fitohet në fushë, fitohet duke provuar. Duhet të luajmë futboll, jo vetëm të mbrohemi. Deri diku ia kemi arritur. Kishim shumë mungesa. Nuk ka skuadër në Superiore që të përballojë kaq shumë mungesa", ka thënë ai.