Situata në Shkodër nuk është e qetë. Humbjet e njëpasnjëshme dhe kërcënimi me tritol ndaj administratorit të klubit Suad Lici, kanë sjellë edhe njëherë në kryeqendrën e veriut ethet e rrezikut në Superligë.
Një tjetër çështje që prej vitesh shqetëson tifozët dhe drejtuesit e Vllaznisë janë të rinjtë e Akademisë, që nuk po gjejnë hapsira te ekipi i parë. Në lidhje me këtë gjë ka reaguar edhe Alban Hasani, që ka mbajtur postin e drejtorit të Akademisë në klubin kuqeblu. Në një postim në rrjetin e tij social, Hasani ka përmendur Belajdi Pusin që së fundmi është bashkuar me Skënderbeun. Djaloshi nuk gjeti hapsira në Shkodër, duke iu dashur të firmosë me korçarët.
"Belajd Pusi, titullar në ekipin më të mirë në vitet e fundit, disfata tjetër e Vllaznisë për mbajtjen e djemve të saj", shkruan Hasani. Kjo nuk është hera e parë që Vllaznia nuk vepron si duhet me talentet, duke lejuar të rinjtë e fidanishtes të largohen pa iu dhënë hapsira në ekipin e parë.
