Tirana do të zhvillojë nesër në 17:00 javën e 28 të Kategorisë Superiore në transfertën gjirokastrite. Bardheblutë i janë nënshtruar sot paradite testeve për Covid-19 në ambientet e stadiumit "Selman Stërmasi", me rezultatet që pritet të dalin në orët në vijim. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë kërkonte vetëizolim për stafin dhe lojtarët bardheblu që luajtën në duelin me Bylis, për shkak se një nga ballshiotët ende është i prekur nga coronavirusi, Tirana ka marrë rrugën për në Gjirokastër.
Ka qenë Albi Doka që ka postuar një foto nga nisja e ekipit në udhëtim, ndërsa duken lojtarët bardheblu në distancë nga njëri-tjetri, në zbatim të protokollit të sigurisë. "Gati për +3", shkruan mbrojtësi duke etiketuar shokët e skuadrës.
