
Trajneri i Austrisë së Vjenës, Thorsten Fink, ka dalë në konferëncë për shtyp një ditë para ndeshjes Kukësi-Austria e Vjenës. Ai është shprehur që dëshirojnë të kualifikohen duke u munduar të shënojnë gol që në fillim të ndeshjes. Tekniku i Austrisë së Vjenës e vlerëson skuadrën kuksiane, teksa i quan si një befasi për ta, pasi nuk e kishin pritur skuadrën verilindore në një formë të tillë. Në fund 48-vjeçari e ka mbyllur fjalën e tij duke thënë që i pret një sfidë e vështirë dhe në këtë mënyrë përqëndrimi i të besuarve të tij është maksimal.
"Duam të kualifikohemi në këtë tur. Kërkojmë të bëjmë lojën tonë dhe të shënojmë gol që në fillim. Kukësi është një skuadër e mirë që na ka befasuar, ka elementë të mirë. Ne jemi të favorizuar, por nuk do të thotë se do të nënvlerësojmë. Besojmë dhe shpresojmë te marrim një rezultat pozitiv. Jemi një skuadër me shpirt ashtu si vendasit. Pres një përballje të fortë nesër. Është një takim i fortë dhe duhet të jemi të përqendruar", është shprehur tekniku gjerman.