
Partizani kreu një 'operacion fshesa' në janar ku largoi disa nga titullarët e sezoneve të fundit nga ekipi. Një ndër ata që u larguan ishte edhe Xhevahir Sukaj, që u konsideru si i pavlefshëm për ekipin e kuq. Rendimenti i 15 herë kampionëve të vendit ishte i ulët pas largimeve të janari, por situata është përmirësuar së fundmi dhe të gjithë në kampin e kuq janë optimistë për të ardhmen dhe për sezonin që vjen.
Është e vërtetë se të kuqtë kanë pasur një ecuri të mirë këtë periudhë, por nuk kanë pasur një bomber që ti udhëheqë me gola. Vetvetiu lind pyetja, a di kush të shënojë si Sukaj te Partizani ? Përgjigja për momentin është jo. Kjo pasi Sukaj që prej largimit nga Partizani, me Vllazninë ka shënuar plot 6 gola. Te të kuqtë askush nuk e ka arritur një shifër të tillë në këtë periudhë kohore.
Ndoshta te Partizani tashmë janë penduar që e larguan shkodranin pasi faktet po tregojnë se ai mbetet një nga sulmuesit më të mirë të Superligës.