Disfata në Varshavë mund të shënojë edhe fundit e kapitullit të Sylvinhos te Kombëtarja shqiptare. Kuqezinjtë nuk ia dolën dot që të shfrytëzonin në maksimum shanset në fushë, duke bërë të pavlefshëm golin e Arbër Hoxhës pak para përfundimit të pjesës së parë.
Kontrata e trajnerit skadon në muajin korrik, e rinovuar pak muaj më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit për ndeshjen më të rëndësishme me Poloninë, prej nga ku vareshin dhe shpresat për një kualifikim drejt finales së madhe drejt Kupës së Botës.
Megjithatë, planet mund të ndryshojnë, pasi në “Shtëpinë e Futbollit” do të ketë vend për reflektimet nga të dyja palët për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në vazhdimësi me projektin e së ardhmes, kur skuadra jonë do të rikthehet në shtator për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Çdo pistë e mundshme do të vlerësohet dhe stoli mund të mos jetë aq i sigurt për brazilianin, pasi krahas ofertave që mund të vijnë në drejtim të ri gjatë verës, edhe në Federatë mund të shkohet për një emër të ri në pankinë.
Koiçidencë mbetet fakti se, në rast të një mbyllje bashkëpunimi, Sylvinho do ta mbyllte ciklin e tij pikërisht aty ku e nisi. Por, përpara se gjithçka t’iu drejtohet tryezave të diskutimeve për të vënë përfundimisht pikat mbi i, Shqipëria e brazilianit do të zhvillojë dhe një miqësore me Ukrainën, skuadër e cila u eleminua gjithashtu nga Suedia për “finalen e madhe”.
Deri atëherë, mbetet për t’u thënë fjala e fundit dhe në këtë testë prove, ku lojtarët më pak të aktivizuar në skuadër kanë shansin të tregojnë veten dhe të “kënaqin” trajnerin.
