Emisioni i 17-të i “Në Shtëpinë e Futbollit” u transmetua sot live në FSHF TV, duke sjellë në qendër të vëmendjes zhvillimet më të fundit të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja dhe kampionati “Abissnet Superiore”.
Të ftuar në studio ishin gazetarja sportive Viola Spiro dhe zëvendëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, të cilët analizuan temat kryesore të javës dhe diskutuan mbi objektivat e skuadrës kuqezi në sfidat e ardhshme.
Emisioni u hap me diskutime për shortin e edicionit të ri të UEFA Nations League, ku Shqipëria nesër do të njohë kundërshtarët. Në një lidhje, Drejtori i Departamentit të PR në FSHF, Fatjon Kodra, foli për praninë e delegacionit kuqezi në këtë event të rëndësishëm për futbollin europian. Pjesë e shortit do të jenë Presidenti Armand Duka, trajneri Silvinjo dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku.
Një tjetër moment i veçantë ishte lidhja direkte me futbollistët e Kombëtares, Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi. Të dy lojtarët, që po zhvillojnë një sezon pozitiv me Bodrumspor në Turqi, folën për formën e tyre aktuale dhe për objektivat e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Botërorit 2026, me vëmendje të veçantë te sfida e play-off-it ndaj Polonisë.
Në pjesën e dytë, emisioni u fokusua në analizën e javës së 23-të të “Abissnet Superiore”. U diskutua për ecurinë e shkëlqyer të Vllaznisë që kryeson renditjen, për fitoret me përmbysje të AF Elbasanit dhe Partizanit, rikthimin te fitorja të Egnatias, si edhe barazimin mes Tiranës dhe Dinamo City.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe javës së 24-t, që rezervon derbin e shumëpritur të kryeqytetit, Partizani – Tirana. Të ftuarit analizuan momentin e dy skuadrave dhe rëndësinë që ka kjo përballje në garën për objektivat sezonalë. Po ashtu, në qendër të diskutimit ishte edhe supersfida Vllaznia – AF Elbasani, ndërsa para nisjes së takimit klubi shkodran do të festojë 107-vjetorin e themelimit, në një atmosferë që pritet të jetë festive në stadium.
