
Më datë 24 shkurt do të nisë edicioni i dytë i kursit të përgatitjes atletike UEFA B, i organizuar nga Federata e Futbollit. Kursi i përgatitjes atletike UEFA B do të udhëhiqet nga sektori i përgatitjes atletike në FSHF dhe do të jetë i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit, më konkretisht në datat: 24-27 shkurt 2025, 7-9 prill 2025, 16-18 qershor 2025 dhe 17-19 shtator 2025.
Më pas kursantët do t’i nënshtrohen provimit final dhe në rast suksesi, do të kenë mundësi të marrin licencën e UEFA-s për këtë kurs dhe të punojnë në kampionatet elitare.
Trajneri i përgatitjes atletike është një figurë shumë e rëndësishme e stafit teknik në futbollin e sotëm dhe ka një rol thelbësor për çdo klub profesionist.
Janë hapur aplikimet për t’u bërë pjesë e këtij kursi dhe të gjithë të interesuarit duhet të plotësojnë disa kritere për t’u bërë pjesë. Kandidatët për t’u regjistruar në kursin e përgatitjes atletike UEFA B duhet të plotësojnë kriteret/kërkesat e mëposhtme:
Diplomë Bachelor nga Universiteti i Sportit;
Licencë UEFA C – minimalisht;
Të jenë pajisur me raport mjekësor të lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);
Dy fotografi pasaporte;
Fotokopje të ID-së ose Pasaportës.
Drejtoria Teknike në FSHF kërkon nga të gjithë të interesuarit që të dërgojnë në mënyrë elektronike informacionin e kërkuar përmes postës elektronike në adresën: [email protected] , si edhe përmes postës së zakonshme me konfirmim marrjeje në adresën: Rr. Liman Kaba, Nd. 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose t’i dorëzojnë fizikisht pranë Sekretarisë në të njëjtën adresë.
Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 10.02.2025. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen. Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të kursit, kontaktoni Sekretarinë e Shkollës në adresën e postës elektronike: [email protected] .