
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pritet të njoftojë në mbledhjen e kësaj të hëne disa ndryshime në kabinetin qeveritar. Ethet e punimeve të Asamblesë Kombëtare të socialistëve kanë nisur prej korrikut, kur u mbajt mbledhja e parë.
Edi Rama shkarkoi të gjithë drejtuesit e sekretariateve, mes tyre dhe Damian Gjinkurin, ndërsa në krye të Grupit Parlamentar emëroi Bledi Çuçin.
Më vonë, në një mbledhje dy ditore në Tepelenë, Edi Rama njoftoi se kabineti i tij kishte hyrë në një proces vetëreformimi dhe riformatimi. Në hotelin buzë Ujit të Ftohtë, kreu i qeverisë vuri në provë zëvendësat dhe la në hije ministrat, për të parë aftësitë e tyre.
Janë disa emra të përfolur ministrash që sot pritet të njihen me shkarkimin, për shkak të nevojës për impulse të reja në drejtimin e vendit.
Një nga ministret që pritet të largohet sot është shefja e Financave, Delina Ibrahimaj. Ajo u tha se do të shkarkohej në Asamblenë e korrikut dhe vendimi u bë fakt, por më vonë Rama dhe vetë Ibrahimaj deklaruan se nuk bëhej fjalë as për dorëheqje e as për shkarkim.
Megjithatë, në ambientet e Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Financave thuhet se në krye të këtij dikasteri do të vendoset zëvendësja e Ibrahimaj, Olta Manjani. Kjo e fundit është parë shpesh ditët e fundit në krah të Edi Ramës, ndërsa ministrja jo.
Ministrja e Bujqësisë është në tjetër emër që sot pritet të marrë lajmin e shkarkimit nga Edi Rama. Frida Krifca është vënë në qendër të akuzave publike dhe politike për fondet e skemave IPARD, të cilat janë hetuar dhe nga një rrjet i prokurorëve evropianë.
Bëhet fjalë për miliona euro që janë dhënë për fermerët, por që në fakt një pjesë e parave të taksapaguesve evropianë të dhëna nga AZHBR e drejtuar dikur nga Frida Krifca janë përdorur për gjithçka tjetër, vetëm për bujqësi jo.
Ministrja e Mjedisit është një tjetër dikaster që aludohet se do të preket ng këto ndryshime. Institucioni i drejtuar nga “veterania socialiste” Mirela Kumbaro duket se nuk është në nivelin e pritshmërive të Edi Ramës, për një Shqipëri te pastër dhe me rritje galopante të numrit të turistëve.
Kjo fushatë riformatimi pritet të marrë me vete dhe Edona Bilalin e Shkodrës. Ministrja e Sipërmarrjes është diskutuar shpesh herë se ishte dorëhequr apo shkarkuar, por këto zëra janë mohuar dhe kanë rezultuar të pavërtetë.
Edhe në aspektin publik e politik, Ministria e Sipërmarrjes nuk ka pasur ndonjë ndikim në klimën e biznesit, pasi Dhomat e huaja të Tregtisë në Shqipëri dhe raportet ndërkombëtare janë shprehur se në vendin tonë është shumë e vështirë të bësh biznes, për shkak të klimës së biznesit dhe korrupsionit.
Megjithatë, këto mbeten thjesht zëra pasi Edi Rama ka treguar se është një lider që di të surprizojë dhe momenti i tij do të jetë këtë pasdite.
Thashetheme ka se ndryshimet do të prekin edhe dikastere të tjera të rëndësishme, pasi raportohet se disa prej ministrave kanë dalë në listat dhe bisedat e rrjeteve celulare të “Sky ECC” dhe “EncroChat”, duke komunikuar me kriminelët.