
Sot, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është
hedhur shorti për ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. Ato që ranë në sy ishin përballjet
e Tiranës dhe Kastriotit. Bardheblutë do të luajnë kundër Shënkollit, kundërshtar
relativisht i lehtë në letër duke parë organikën cilësore të kryeqytetasve.
Nga ana tjetër edhe për krutanët nuk do të jetë shumë e vështirë kalimi i këtij raundi duke qenë se ekipi nga Fushë-Kruja ka pasur probleme të theksuara menaxhimi duke iu larguar shumë futbollistë. Kësisoj, nëse dy ekipet do të arrijnë të kalojnë turet e para, një tur më pas do të mund të luajnë së bashku.
Jo më kot, veçojmë këtë sfidë e cila në sezonin e shkuar u shndërrua në "arenë lufte" mes të dy ekipeve. Madje asokohe, pas fitores 1-0 të Kastriotit kundër Tiranës, trajneri Bledar Devolli shprehej: "Lojtarët e mi treguan se kishin bo*e". Jo vetëm kaq, por skuadra bardheblu u detyrua të "ngujohej" për disa minuta në ambientet e Redi Malokut pas presionit të bërë nga tifozët krutanë. A do të na e rezervojë Kupa e Shqipërisë edhe një herë këtë duel "hekurash"?