Ligji i ri Sportit për heqjen e policisë së shtetit nga stadiumet ka krijuar një kaos të madh jo vetëm në Superligë por edhe në Kategorinë e Parë. Problemet u panë që në start të kampionatit, në sfidën që Partizani luajti ndaj Skënderbeut në Korçë në javën e parë.
Kësaj gjëje i tremben edhe skuadrat e Kategorisë së Parë që do të zbresin në fushë për pak ditë, Ndryshe nga Superliga, gjendja paraqitet akoma më serioze një nivel më poshtë, kjo për shkak se niveli ekonimik dhe të ardhurat janë shumë herë më të ulëta për të paguar policinë private dhe plotësuar kushtet e përcaktuara së fundmi për mbarëvajtjen e ndeshjeve nga ana e klubeve.
Mungesa e plotësimit të një prej kushteve të vendosura së fundmi, do të çonte në mos zhvillimin e ndeshjes dhe humbjen 3-0 në tavolinë për skuadrën pritëse. Do të jenë delegatët e takimit ata që do të kontrollojnë çdo gjë dhe që nuk do të falin në rast se nuk plotësohen kushtet e përcaktuara dhe në fund, “shuplaka” do të jetë ndaj skuadrave dhe klubeve të kësaj kategorie, të cilat jo se nuk duan por nuk kanë mundësi të paguajnë për të patur polici private në stadium.