Një ngjitje në karrierë është e mirëpritur për këdo. Në një intervistë për mediat greke, trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi ka folur për të ardhmen, ku mund të ketë shumë surpriza. Nuk përjashtohet mundësia e drejtimit të një klubi shqiptar, pasi përfaqësuesja i jep mundësinë të punojë vetëm një herë në dy-tre muaj. Kohët e fundit është përfolur se në fund të sezonit do kemi një rokadë, ku Bushi do bëhet trajner i Kukësit, ndërsa Shehi do shkojë në krahun tjetër. Diçka u tha edhe për Enea Mihaj, mbrojtësin kuqezi, me potencialin e këtij të fundit që premton shumë.
”Kam qenë këtu në ekipet kombëtare prej 6 vitesh. Tani janë disa ekipe shqiptare ku mund të shkoj dhe e mendoj shumë një gjë të tillë pasi dua të punoj çdo ditë, jo çdo 2-3 muaj.Enea Mihaj? E pashë dje në fushën e lojës dhe ishte shumë mirë. E dija që nuk do të luante menjëherë me PAOK, ajo është skuadër e madhe dhe ai është lojtar i ri. Ai është një mbrojtës i mirë, një lojtar i madh. Nëse do të jetë në një skuadër ku luan rregullisht, do të bëhet një lojtar i madh për ne.
Edhe pse është i tillë që tani. Trajner e ka në kombëtaren e madhe. Kam folur me trajnerin për të dhe më tha që e do në ekipin e madh edhe pse mund të luajë me U21. Ai është ende i ri, ka shumë vite përpara. Për momentin te Shqipëria të gjithë janë 22-23 vjeçarë, kemi të ardhme dhe Mihaj është një prej tyre” thotë mes të tjerash Alban Bushi.