Partizani që nga janari i këtij viti në brendësi të tij ka pasur shumë emra italianësh, ku filluan me stafin e trajnerëve e më pas u zgjeruan me lojtarë të ardhur nga kampionati i përtej Adriatikut. Ardhja e Andrea Agostinellit në janar, solli me vete dhe përgatitësin atletik Kristiano Gianotti, i cili vijoi të punonte edhe pas largimit të trajnerit që kaloi në radhët e Skënderbeut.
Më tej bashkëpunimi me stafin italian u bë me Adolfo Sormanin, i cili solli me vete edhe ndihmësin e tij, Gianni Mazela. Por, edhe mesfushorin Luca Bertoni, i cili ka qenë lojtar në të njëjtën skuadër me Sormanin në Itali.
Ardhja në krye të skuadrës e Sulejman Starovës ka sjellë ndryshimet, teksa ato janë miratuar nga presidenti Gazment Demi. Ai ka larguar trajnerin Sormani dhe dy ndihmësit e tij, Gianotti dhe Mazela, teksa edhe lojtari Bertoni nuk është më pjesë e të kuqve.
Momentalisht, në radhët e Partizanit ka mbetur trajneri i portierëve, Mario Kapeçe dhe përgatitësit atletik Corrado Sacone, të cilët do të vijojnë të punojnë me Starovën edhe në të ardhmen.