Situata në Shqipëri s’është aspak e qetë. Skuadra e Elbasanit po vuan prej vitesh, ndërsa tanimë politika është më e trazuar se kurrë.
Që prej kohës kur verdhezinjtë kaluan në pronësinë e bashkisë, një nga ekipet që ka bërë histori në futbollin shqiptar ka prekur fundin. Pikërisht për këtë situatë të iniciuar tërësisht nga politika kanë reaguar tifozët elbasanas. “Tigrat Verdheblu” përmes një postimi në rrjetet sociale shkruanin:
“Tigrat Verdheblu, ato që një ndeshje e shohin si një triumf, si një copëz për të krijuar mozaikun e historisë së ekipit të zemrës. Kanë qenë dhe janë gjitmonë aty për skuadrën, janë gjithmonë aty për njëri- tjetrin, kjo është arsyeja që edhe pse ka 7 vite që ka pllakosur heshtja, brohorimat e tyre ende na kujtojnë kohët e krenarisë dhe lavdisë.
Brohorimat e aktualitetit më kujtuan vargjet e F. Konicës:
“As bukë, as brekë ju lanë,
Ju punoni, ata hanë,
Nuk ju lanë as pak nder,
Q’e keni pasur përherë.
As nder, as turp, as gjak s’kini,
Unji kryet edhe rrini.”
Si mund të rrish në vend? Mos të thotë njeri “Hajt se do bëhet më mirë...”. E provuam duke pritur se ditë më të mira do vijnë, se drejtues më të mirë do vijnë, por jo, ja tek dëshmojnë 7 vite të çuara dëm. Këta sundimtarë mediokër e të pangopur morën gjithçka, sportin, artin, kulturën...
Pa më thoni, kush e ka radhën pas teatrit? Mos e ka Kalaja e Elbasanit?
Pa më thuaj, deri kur do durosh? Kur të vijnë të të marrin dhe shtëpinë?
Do jetë tepër vonë!
Tani jemi në kohë, të mos jetojmë ato ditë që Kasëm Trebeshina në 1994- ën me vargjet e tij i paralajmëronte. Ai shkruante:
“...Perëndi e plotfuqishme! Kush do ta ketë fatin e tmerrshëm të jetojë i shtypur nga njeriu më i poshtër dhe më i pabesë që do nxjerrë ky vend?
Ato që do arrijnë të jetojnë ato ditë, do mallkojnë fatin që lindën shqiptarë!...”
Kush e mendonte se këto vargje që dukeshin aq jo reale të bëheshin realitet, të bëheshin fjalët që dëshmojnë realitetin edhe në 2020- ën. Mos mallkoni fatin shqiptarë, mos mallkoni gjakun tonë shqiptarinë”.
