
Partizani pa dyshim që ka bërë një sezon mjaft të mirë. Por asgjë nuk mbetet e sigurtë as për të kuqtë në rrugën e titullit. Kukësi dhe Skënderbeu dy rivalët kryesorë do ia bëjnë të vështirë të besuarve të Starovës. Ky titull do të ishte një sukses i Partizanit dhe do të vinte pas plot 24 vjetësh. Titulli do të vinte në kryeqytet dhe ja si shpallet kampione Partizani.
Me Kukësin nuk ka humbur kurrë në shtëpi, por tani i duhet të luajë një finale për të bërë hapin e madh drejt titullit të munguar prej 24 vitesh. Partizani duhet të likuidojë verilindorët këtë javë për të vijuar më pas i qetë rrugëtimin. Në ndeshjet ndaj të mëdhenjve ka treguar supremaci, por këtë sezon i mungon një fitore me Kukësin.
* Fiton me Kukësin 2-0 dhe merr në total 12 pikë në pesë ndeshje, duke pranuar edhe humbjen në Korçë. Me këtë variant të kuqtë përfitojnë në rast barazimi me pikë me Kukësin, për shkak të diferencës së golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes tyre (2-1 për Partizanin). Pika a), ku merren parasysh pikët e grumbulluara në ndeshjet mes ekipeve përkatëse nuk do të llogaritej, pasi gjithçka është e barabartë me skuadrat që do të kishin nga një fitore dhe nga dy barazime secila.
* Fitojnë me Kukësin 1-0, por në fund e mbyll me pikë të barabarta kampionatin me veriorët. Këtu bëhen nul dy pikat e para të rregullores së klasifikimit dhe hyn në lojë pika c, pikërisht diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit. Kush ka golavarazh më të mirë në total do të jetë fituesi i titullit me këtë variant.
* Barazon me Kukësin, më pas fiton tri ndeshjet e radhës dhe përfiton nga barazimi i mundshëm ose triumfi i korçarëve në duelin direkt Kukësi-Skënderbeu në javën e parafundit. Në fund shkon në Korçë për 1 pikë. Nëse del ky variant shpallet kampion, pasi e mbyll kampionatin me 76 pikë, ndërsa Kukësi dhe Skënderbeu me nga një pikë më pak.
* Nëse në ndeshjen e fundit në Korçë shkon +3 pikë dhe ka Skënderbeun ndjekësin më të afërt është automatikisht kampion, pasi edhe po u mposht nga bardhekuqtë përfiton nga ndeshjet direkte (barazim në fazën e parë dhe ka fituar në fazën e dytë dhe të tretë, 1-2 dhe 1-0).