Si sot, 73 vite më parë është themeluar klubi i Partizanit, më 4 shkurt 1946. Në këto vite, legjenda e kuqe ka shkruar historinë e futbollit shqiptar. Tituj e trofe shumë të rëndësishëm. 15 herë kampion i Superiores, 15 herë kampion i Kupës së Shqipërisë, i japin fanellës së kuqe një peshë shumë të madhe për çdo futbollist që e vesh atë.
Me anë të një postimi në rrjetin social "Facebook", "demat" kanë shpërndarë një status për të gjithë tifozët e tyre, në lidhje me këtë ditë të veçantë.
Në fakt, një trofe që i mungon më shumë se kurrë Partizanit është ai i Superiores, ku kampionati i fundit i fituar është në vitin e largët 1993. Mirëpo, pritja duket se do të marrë fund, pasi këtë sezon, në 20 ndeshje të luajtura, skuadra e drejtuar nga trajneri Skënder Gega ka 43 pikë dhe ndodhet në vendin e parë, 5 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë.