
Dinamo u mposht në shtëpi 0-1 nga Vora ditën e sotme për javën e 14-të të Kategorisë së Parë. Blutë e kryeqytetit humbën shansin e artë për të arritur në vend të parë që mbahet nga Burreli e tani Dinamo është në vendin e dytë me 26 pikë, dy më pak se Burreli. Pas ndeshjes, drejtori i Dinamos, Ermal Barushi ka hedhur akuza të forta ndaj rivalëve të Burrelit që sipas tij kanë qenë të pranishëm në stadium duke takuar lojtarët e Vorës.
"E mira është që gjithçka të vendoset në fushën e lojës. Urime Vorës, që na i vështirësoi gjithçka. Nga situatat e krijuara, në javët që kanë kaluar, po luhet një lojë e pistë, kundër Dinamos. Këtu te ne ka qenë një drejtues i Burrelit, që ka pasur kontakt me ekipin e Vorës. Unë e bëj publike këtë, sepse ka pasur ndikim te lojtarët e Vorës. Ne po mundohemi të bëjmë një futboll të pastër. Janë 12 pikë që i janë dhënë Burrelit. Nuk kam asgjë me Vorën. Shumë raste janë të diskutueshme. Sot nuk na u dha një penallti në pjesën e parë. Nuk e di çfarë Vora pretendon në këtë moment. Penalltia e pjesës së parë mund të ndryshonte ndeshjen. Është gjithçka që ndodh në kurriz të Dinamos.
Nuk është futboll i pastër. Ne po mundohemi të luajmë pastër dhe drejtë. Merita është e Vorës. U detyruam në fund të lojës të luanim me 3 mbrojtës. Gjithsesi Dinamo është Dinamo dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Sot ndikuan dëmtimet. Trajneri ishte i detyruar të luante kështu. Mendoj që këto ishin arsyet reale. Ju e keni dhënë me përsëritje dhe është një penallti për Dinamon që nuk u dha. Nuk jemi në krizë. Ne jemi në vendin e dytë, presim Burrelin në shtëpi, por them që duhet të luajmë drejtë dhe ta marrë më i miri, nëse Burreli e meriton ta fitojë kampionatin, atëherë le ta marri", u shpreh Barushi.