
Finalja e Conference League mes Romës dhe Feyenoord ishte kryefjala e këtyre ditëve, jo vetëm në vendin tonë por në gjithë Europën. Interesi për të mësuar ekipin që do të ngrinte trofeun e këtij kompeticioni, i pari në historinë e futbollit, ishte i madh. Roma arriti të fitonte 1-0 kundër Feyenoord, në stadiumin “Air Albania”.
Duhet thënë që organizimi i bërë nga UEFA në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, por edhe qeverinë ishte për t’u përgëzuar. Gjithçka shkoi mirë, me përjashtim të disa incidenteve të vogla. Pas ndeshjes, festa ishte legjitime për italianët të cilët do ta çojnë trofeun në kryeqytetin e Italisë. Ata priten të largohen në orët e para të mëngjesit të sotëm. Megjithatë për sportdashësit shqiptarë festa nuk ka përfunduar.
Ajo do të zhvendoset disa metra më tej, për një tjetër ngjarje të madhe futbollistike. Në stadiumin “Selman Stërmasi”, klubi i Tiranës do të ngrejë trofeun e 26-të kampion dhe organizimet e bëra ftojnë të gjithë sportdashësit të marrin pjesë. Bardheblutë tashmë matematikisht kampionë të Shqipërisë e mbyllin këtë edicion sportiv kundër Kukësit, takim që starton prej 17:00.