Trajneri Artan Mërgjyshi do të ketë mundësi të provojë për herë të parë skuadrën e tij gjatë përgatitores. Ndeshja e parë në Peshkopi do të luhet nesër në orën 18:00 kundër Korabit të Dibrës së Madhe, ndërsa parashikohet që të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh.
Gjatë çdo seance ka rreth 1000 tifozë që ndjekin ekipin e tyre të zemrës, ndërsa nesër pritet që e gjithë Dibra të mblidhet në stadiumin “Korabi” për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës që mbajnë po të njëjtin emër “Korabi”.
Kjo ndeshje do t’i paraprijë asaj që do të luhet të dielën pasdite, kundër kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Skënderbeut. Do të jetë një test vlerësues për ekipin, ndërsa trajneri tiranas i Korabit do të shohë formacionin e tij, ku do të hedhë idetë e para dhe do të eksperimentojë me lojtarët për të formuar 11-shen më të mirë që do t’i duhet të dielën.