
Vllaznia dhe Tirana do të përballen me njëra-tjetrën në stadiumin "Loro Boriçi", ndeshje e vlefshme për javën e fundit të Superiores, por edhe përcaktuese për mbijetesën e këtyre ekipeve. Kjo supersfidë vijon të prodhojë lajme dhe informacione të reja. Dhe së fundmi sipas "shkodra.news", Endri Vrapi është larguar nga grumbullimi i skuadrës dhe pritet të mos jetë i gatshëm për këtë takim.
Ndërkohë që në kampin bardheblu raportohet se Gilman Lika ka kërkuar të mos luajë përballë ish-ekipit të tij. Shkodrani është një lojtar që ka dalë nga ekipet zinxhirë të Vllaznisë dhe në këtë lloj situate ai ka mijëra arsye për të mos qenë në fushë. Për momentin nuk ka asgjë zyrtare të konfirmuara nga klubet, por në orët në vijim pritet të mësohet nëse Vrapi dhe Lika do të jenë ose jo në duelin e mbijetesës në stadiumin "Loro Boriçi".