
Shtubina zgjodhi të vijonte aventurën në këtë sezon që po lëmë pas me Egnatian. Mesfushori i njohur shkëlqeu me rrogozhinasit duket dhënë kontributin e tij për ngjitjen në Superiore.
Në një intervistë të dhënë për Abc Neës, ai ka folur për aventurën në skuadrën e drejtuar nga Gugash Magani, tregon të ardhmen si dhe nuk lë pa prekur edhe ekipin e Vllaznisë.
"Kur erdha në fillim shumë njerëz më kanë gjykuar pse u bëra pjesë e Egnatias. Koha ka treguar se kam bërë zgjedhjen e duhur. Jam munduar të jap maksimumin dhe kam ardhur me synimin e qartë që si person të jap gjithçka për skuadrën, në mënyrë që të jem korrekt me drejtuesit dhe profesorin. Besoj se ia kemi arritur dhe jam shumë i lumtur për atë që kemi bërë deri tani", ka thënë fillimisht ai.
I pyetur më pas rreth të ardhmes, Shtubina nuk ka ngurruar t'i premtojë besnikëri: "Besoj se do të jem pjesë e projektit të ekipit edhe në vazhdim. Kam marrëdhënie të mira edhe me profesor Maganin, edhe me presidentin. Kam qenë korrekt, siç kanë qenë edhe ata me mua. Besoj se do të shkojnë gjërat shumë mirë".
Në fund ka dy fjalë edhe për Vllazninë: "Besoj se në futboll ndryshojnë gjërat shpejt dhe të them të drejtën më ka marrë malli të luaj në Superiore, sepse kam pasur shumë vite aty. Gjithsesi ia kemi arritur qëllimit dhe jam i lumtur për këtë gjë. Normalisht Vllaznia është gjithmonë në zemrën time, gjithsecili bën zgjedhjet e veta në sport.
Kjo nuk do të thotë që duhet të mbaj inat me drejtuesit, ose me shokët e skuadrës. Karriera ime ka ecur mirë duhet të them, pasi jam munduar gjithmonë të jap maksimumin. Ndoshta njerëzit më paragjykojnë edhe nga mosha, por gjithsesi do e tregoj në të ardhmen gjithçka".