Andi Ribaj ishte autori i golit në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut. Sulmuesi fierak nuk ishte projektuar si titullar, por dëmtimi i Deliaj detyrojë trajnerin Daja t’i besojë Ribajt duke mos patur shumë alternativa të tjera në dispozicion. 29-vjeçari nuk zhgënjen bën një paraqitje fantastike dhe shënon golin e parë për vlonjatët. Ditën e sotme Ribaj ka folur përpara mediave për ndeshjen e radhës ndaj Partizanit. Sulmuesi u shpreh se goli i shënuar e ka çliruar dhe premton se do të vazhdojë të shënoi sa më shumë gola. Ribaj foli dhe për largimet nga skuadra si dhe për ”magjinë” e Liçaj ditën e djeshme.
“Ndjehem i lumtur për golin që i shënova Skënderbeut. Goli çdo lojtar e çliron, do vazhdoj të bëj punë time sa më të mirë. Do vazhdoj të luaj dhe do mundohem të shënoj sa më shumë” u shpreh Ribaj.
“Partizani është ekipi më i mirë për momentin. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. I kemi marrë të gjitha masat për të marrë më të mirën nga kjo përballje. Besoni te besëtytnia e Lejdit? Normalisht (qesh). Ishte një shaka e momentit, shpresoj të dalë edhe ajo batutë e Lejdit”, tha sulmuesi i Flamurtarit.
“Ka pasur largime, kjo dihet. Besoj se do i zëvendësojmë këto largime, pasi Flamurtari e ka grupin. Pagesat, si ndikojnë në grup? Kemi një frymë shumë të mirë në grup. Djemtë janë shumë entuziastë. Për problemet e tjera përgjigjen drejtuesit”, përfundoi Ribaj.