
Një nga sfidat më interesante të Kategorisë së Parë në ditën e sotme, është përballja mes Burrelit dhe Tërbunit, e programuar të luhet në orën 13:00. Për këtë takim, Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar si arbitër kryesor, Endrit Zhulin, një emër i dëgjuar shpesh në kategoritë inferiore. Gabimet në gjykim shpesh herë e kanë penalizuar duke u dënuar nga Sektori i Arbitrimit.
Edhe sot, në këtë sfidë "hekurash" të dy skuadrat i druhen vendimeve të arbitrit 37-vjeçar. Matianët do të tentojnë një rezultat pozitiv teksa gjenden në vendin e nëntë me 8 pikë, ndërsa pukianët e drejtuar nga Oltijon Kërnaja do të synojnë fitoren për t'u larguar nga "Zona e Ftohtë". Tërbuni gjendet në vendin e shtatë me 10 pikë, 4 më pak se Besëlidhja e vendit të tretë. /Newsport.al/