Devolli dhe Cërriku luajtën të shtunën më 14 maj, sfidën e vlefshme për “play-off” e Kategorisë së Parë. Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, të dyja klubet u përballën për të siguruar një biletë sezonin e ardhshëm në ligën e dytë më të rëndësishme të vendit.
Cërriku vinte nga “play-out” i Kategorisë së Parë, ndërsa Devolli nga “play-off” i Kategorisë së dytë. Sfida nxorri fitues Cërrikun, pas golit të shënuar me penallti nga Vinicius Vidal në minutën e 90’.
Sot, disa ditë pas ndeshjes, kapiteni Devollit Mateo Pere ka shpërthyer ndaj Cërrikut, duke thënë se nuk e kanë merituar Kategorinë e Parë dhe ndeshja ka qenë e paracaktuar.
“Edhe pse kemi qëndruar të heshtur si klub, nuk e kuptoj pse janë kaq entuziast te klubi i Turbinës pasi nuk e kanë merituar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Është parë qartë nga të gjithë pranishmit në stadium se nuk ka pasur prekje me dorë. Madje vetë lojtarët e Turbinës kanë ngelur të befasuar për penalltinë që ka akorduar arbitri.
Pavarësisht se ndeshja ka qenë e paracaktuar, ne treguam që jemi ekip shumë i mirë, treguam forcën si ekip duke luajtur si të barabartë dhe rastet më të pastra për shënim i kemi pasur ne. Falënderoj të gjithë pa përjashtim, që nga Presidenti i Klubit, 2 trajnerët, shefin e klubit dhe të gjithë futbollistët.
Ka qenë një vit i shkëlqyer për të gjithë edhe pse nuk e arritëm dot objektivin që kishim, por jo për fajin tonë. Gjithsesi na mungon shumë Kategoria e Parë, besoj se vitin e ardhshëm do të jemi më të fortë dhe do t’ia dalim për të bërë të lumtur të gjithë njerëzit që na kanë mbështetur dhe në veçanti tifozët tone”, shkruan Mateo Pere në rrjetin social Instagram.