Futbolli në Shqipëri është ndalur për shkak të përhapjes së Coronavirus dhe klubet I kanë lënë të lirë lojtarët e tyre të shkojnë nga vendet që vijnë dhe të qëndrojnë të izoluar në shtëpi. Mbrojtësi i Vllaznisë, Mevlan Adili ndodhet në Shkup, ku dhe përhapja e COVID-19 është jo e madhe dhe situata duket më e qetë. Adili sëfundmi ka folur për mediat locale në Shkodër, ku ka treguar sesi po I kalon ditët e ndodhura në vetizolim, si dhe është ndalur më gjatë tek Vllaznia dhe rinisja e kampionatit.
“Falë Zotit, gjendja këtu në Maqedoninë e Veriut nuk është si në Itali apo disa vende të tjera. Këtu virusi nuk ka ndonjë përhapje të madhe dhe për rrjedhojë kjo na ka mundësuar të vijojmë normalisht daljen jashtë dhe të zhvillojmë edhe stërvitje individuale. Unë po stërvitem në një kodër që kam këtu afër shtëpisë dhe po mundohem të mbaj formën.
Sigurisht që jemi në pritje të lajmeve nga Shqipëria për normalizimin e situatës dhe të bashkimit me pjesën tjetër të ekipit për të vijuar normalisht stërvitjen me ekipin, por nga sa shoh, do të kalojë edhe një kohë e gjatë që gjithçka të rikthehet përsëri ashtu si duhet”, ka thënë në fillim Adili.
Vlerësimi nga tifozët:
“Kuptohet që është gjë e mirë kur të vlerësojnë tifozët por unë do të dëshiroja më mirë një vlerësim ashtu si duhet në fundin e sezonit, kur edhe të kemi arritur objektivat e klubit. Gjatë këtyre dy muajve e gjysëm që jam në Shkodër kam përshtypje vetëm pozitive. Në fillim dua t’i falenderoj të gjithë për pritjen shumë të mirë që më kanë bërë duke u ndjerë si në shtëpinë time.
Përshtypje kam shumë sepse luaj për Vllazninë, një skuadër me shumë histori dhe me shumë tifozë, ka kushte shumë të mira për të luajtur dhe ndoshta jo krej ashtu si duhet për t’u stërvitur, megjithatë besoj se në të ardhmen do të rregullohen”, është shprehur futbollisti i kuqebluve.
Ecuria e Vllaznisë në Superiore:
“Vllaznia nuk ka ekip për të rrezikuar. Kemi një grup lojtarësh shumë të mirë dhe punojmë me shumë seriozitet dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme të kemi më shumë fat dhe jo rastësisht e treguam edhe në dy ndeshjet e fundit ku morëm 4 pikë dhe madje mund të kishim marrë edhe 6 nëse do të ishim treguar pak më të kujdesshëm para portës në sfidën ndaj Kukësit.
Besoj se Vllaznia ka për t’u ngjitur më lart në renditje, duke shpresuar që edhe kjo pauzë të mos ndikojë për keq. Jam i mendimit se do të ngjitemi më lart dhe të mos harrojmë që kemi pretendimet tona edhe në kupë ku kemi një shans shumë të mirë për të dalë në Europë”, ka përfunduar Adili.