Mesfushori i mirënjohur Nijaz Lena, i cili është shqiptar, por me pasaportë maqedonase, ende nuk ka përcaktuar se ku do të vazhdojë karrierën e tij. Lojtari nga Struga sezonin e fundit ishte pjesë e Teutës, ndërsa kaloi pesë vite të lumtura në Vlorë.
Ai pëlqehet nga disa skuadra të Superiores, ndërsa nuk dihet se ku do të përfundojë. Është në bisedime me Teutën, por edhe Gugash Magani e dëshiron në planet e tij. Por, në Vlorë ambienti i brendshëm i Flamurtarit ka krijuar antipati për të, megjithatë, gjithçka e ka në dorë trajneri Magani, i cili duhet të vendosë nëse ai do të jetë në skuadrën e tij ose jo.
Por, edhe Teuta ka shprehur dëshirën për të rinovuar, megjithatë, lojtari duket se nuk është bindur për shumën monetare, e cila ka bërë që ai të mbajë zvarrë edhe vazhdimin e kontratës. Gjithashtu, në Shkodër ka qenë i interesuar për të, por parësore për trajnerin e Vllaznisë janë shkodranët.