
Richard Danso ishte lojtari që spikati më shumë në radhët e bardhebluve në derbin me Partizanin përfunduar me shifrat 0-0. Sulmuesi afrikani shkëlqeu duke ia bërë mjaft të vështirë punën Egzon Belicës. Disa herë në krahë shpërtheu, madje rrezikoi seriozisht të kuqtë duke dhënë një super assist për Seferin, por që nuk u shfrytëzua si duhet nga ky i fundit. Me të drejtë presidenti Halili u shpreh se kampionët kanë fituar një lojtar për të ardhmen, që mund t'i shërbejë dhe arkës së klubit.
Në mënyrën e lojës Danso të kujtonte ish yllin e Tiranës, Ndockyt Merveille, lojtar që bardheblutë e shitën dhe përfituan mijëra euro prej tij. Ndoshta historia mund të përsëritet sërish. Duke qenë në majë të sulmit dhe mosha e re e favorizon afrikanin për të qenë në vitrinën e shitjeve për klubet europiane. Kësisoj, jo vetëm që do t'I shërbente skuadrës në fushë, por dhe financave të skuadrës për të mbushur arkën në një të ardhme.