Sfida mes Partizanit dhe Skënderbeut përfundoi 2-1, me spektaklin që nuk mungoi në këtë ndeshje të javës së 11-të të Kategorisë Superiore. Të kuqtë shënuan që në minutën e 18-të me Rrapaj, ndërsa korçarët barazuan me Mensah në të 23-tën. Skuadra e Ilir Dajës kaloi sërish në eperësi pas gjysmë ore loje me Carën. Menjëherë pas 90 minutëshit për mikrofonat e Supersport foli trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli.
“Goli i anulluar? Sa më vjen për të qeshur. Topin e ka në kurriz Victor. Nuk e ka prekur topin me dorë. Arbitri ka anulluar këtë gol pa asnjë sinjal nga VAR. Lojtari më tha që nuk e kam prekur topin me dorë. Po diskutove për bërrylin, duhet të më thon që këta që marrin vendime, edhe prekja me dorë e Asion Dajës në Kamëz ishte penallti. Mungon një karton i kuq për Partizanin. Qahen për arbitra më pas këta.
Goli i dytë i Partizanit? Lojtari është përkulur pasi ka ulur kokën. Lind pyetja: Merr pjesë në aksion apo jo?
Rasti më flagrant është mos-ndëshkimi me karton të kuq te rasti i penalltisë. Imagjino që këto gjëra bëhen në Air Albania, çfarë mund të ndodh në stadiumet e tjera.
Vuajtëm presingun ultra-ofensiv të Partizanit. Morëm një gol nga goditjet standarde që nuk duhej ta kishim marrë. Kjo është detyra jonë. Përmirësuam disa gjëra në pjesën e dytë. Kishim probleme te krahu i Dwoumfour. Pjesa e dytë ka folur vetëm për neve. Kam vetëm fjalë të mëdha për lojtarët, pasi kanë bërë pjesë të dytë fantastike. Ajo që më jep siguri është përformanca. Ne erdhëm për maksimumin dhe bëmë maksimumin. Janë disa faktorë që na penalizuan.
Njerëz jemi, edhe mund të humbasim. Nuk kam asnjë pishman. Do dukem si qarraman po të ankohem çdo javë.
Duhej të ishim të kujdesshëm në 30 minutat e para. Patëm problem në ndërtimin e lojës. Po humbnim shumë topa.Kundërshtari na vinte nga poshtë. E lëshuam në pjesën e dytë. Manovrimet erdhën ashtu siç duhet. Kem shpresë që do ecim përpara. Nuk mund të konstatoj çfarë niveli ka ekipi i Partizanit, por erdhëm për maksimumin. Humbja e penalltisë na la pa marrë pikë” – tha ai.