Mario Cenolli dhe Orges Shehi folën mbrëmë për Michael Ngoo-në, sulmuesin e larguar nga skuadra e Tiranës. Agjenti i lojtarit, por edhe trajneri i njohur shqiptar vlerësuan punën e bërë nga anglezi, ndërsa kritikuan drejtuesit bardheblu përmes një krahasimi me Skënderbeun e kohëve të arta.
Sipas tyre, ata s’kanë gjetur zëvendësuesin e denjë të anglezit në majën e sulmit. Megjithatë Cenolli dukej se nuk ishte i mirëinformuar për Skënderbeun kur shkruante historinë në futbollin shqiptar. Menaxheri i Ngoo-së “çoi” Ekubanin te korçarët, por në fakt ish-sulmuesi i kuq kishte provuar të vishte vetëm fanelën e Partizanit. E një gjë të tillë ia vuri në dukje edhe Orges Shehi.
“Tirana ka larguar Ngoo-në, por nuk ka gjetur zëvendësuesin e denjë. Mund të kujtojmë Skënderbeun që largoi Soëe-në dhe mori Ekubanin. Ajo ishte goditje”, tha fillimisht Cenolli duke i mëshuar më tej: “Të gjithë e mbajnë mend Ekubanin se çfarë lojtari ishte. Pra larguan një futbollist të një niveli të lartë, për të marrë dikë tjetër po në të njëjtin nivel”.
Të gjithë u habitën në studio, ndërsa ai që ndërhyri ishte Shehi: “Çfarë Ekubani po thua? Ekubani s’ka luajtur ndonjëherë me Skënderbeun. Sowe po, i cili u mor kur u largua Peter Olayinka. Skënderbeu i ka pasur gjithmonë sulmues kalibri, me Salihin më para”, përfundoi ish-gardiani i korçarëve.