Partizani nuk do ta shesë Emmanuel Mensahun. Klubi i kuq e konfirmoi lajmin e fundit duke i konsideruar thashethemet e merkatos se mesfushori 24-vjeçar ganez do të transferohej te Tirana si "lajm i rremë" (fake news).
Në një postim të fundit në Instagram, 15-herë kampionët e Shqipërisë u treguan të prerë për të ardhmen e Mensah.
Duke parë blerjen e Dilaver Dukës në qendër të mesfushës, që ka mbipopulluar repartin e ndërmjetëm të Partizanit, u përfol se ndoshta në mungesë të minutave të shumta Mensah mund të pranonte "divorcin" me Partizanin dhe të firmoste me bardheblutë. Por klubi e konsideron tejet të vlefshëm mesfushorin Mensah, i cili ka dhënë maksimumin në dy fazat e para të sezonit dhe ndihma e tij është shumë e nevojshme në këtë fazë delikate të kampionatit.