Kukësi do të luajë të shtunën kundër Skënderbeut, ndeshje që do të jetë përcaktuese për skuadrën kampione të këtij sezoni. Për këtë sfidë, klubi verilindor ka bërë me dije çmimet e biletave, ndërkohë bie në sy se ndryshe nga herët e tjera, bileta jo vetëm që do të jenë me pagesë, por do të kenë edhe çmime të "kripura".
"FK Kukësi komunikon se biletat e spektatorëve për ndeshjen Kukësi-Skënderbeu në stadiumin “Zeqir Ymeri” do të jenë të gjitha me pagesë. Çmimet janë si më poshtë:
Tribuna përballë: 1000 lekë të reja
Tribuna kryesore: 2000 lekë të reja
Çmimet e biletave do të jenë pa dallim ndërmjet tifozerisë vendëse dhe asaj mike. Ne nuk do të bëjmë asnjë diferencim, duke respektuar në maksimum mysafirët. Në dispozicion do të lëmë 300 vende për tifozët korçarë.
Këto ditë, si klub organizator, kemi marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e takimit, duke u kujdesur për policinë, ambulancën, zjarrfikësen dhe çdo gjë tjetër në funksion të sigurisë në stadium.
Ndërkohë, duke marrë parasysh faktin se ndeshja e së shtunës (17:30) është më e rëndësishmja e këtij sezoni jo vetëm për FK Kukësin, por edhe për gjithë kampionatin shqiptar, theksojmë se shumë biznesmenë kuksianë kanë shprehur dashamirësinë dhe gatishmërinë e tyre për të paguar biletat për tifogrupet tona.
NUK DO TË KETË BILETA FALAS!
Biznesmenët e afruar pranë klubit, duke mos dashur të privojnë tifozerinë kuksiane nga kjo supersfidë, kanë blerë me qindra bileta dhe hyrja në stadium do të jetë VETËM me bileta. Tifozët tanë le të përfshihen me tifogrupet për të përfituar biletat, gjë që vlen edhe për Skënderbeun, nëse kanë dëshirën të paguajnë paraprakisht si klub apo nëpërmjet biznesmenëve të ndryshëm", shkruhej në njoftimin e klubit të Kukësit.