
Durrsakët do të luajnë në Europa League ndeshjen e parë më 30 qershor, ndërsa kanë mbyllur listën e tyre për dy ndeshjet që do të luhen më 30 qershor dhe 7 korrik. Por, ajo që të bie në sy menjëherë në listën zyrtare të publikuar nga UEFA janë dy emra; trajneri dhe një sulmues.
Bëhet fjalë për Hito Hitajn, ish-funksionari i FSHF-së, i cili tashmë është në pension, por që në listën e durrsakëve figuron si kreu i pankinës. Ai ka qenë më parë në Sektorin e Edukimit në FSHF, pra ka qenë udhëheqës për trajnerët e rinj që diplomoheshin, ndërsa tashmë i është rifutur punës.

Durrsakët e kanë kontaktuar gjirokastritin për të qëndruar në krye të pankinës, ndërsa arsyeja mund të jetë mungesa e licencës UEFA “Pro” për Julian Ahmatajn, që e penalizon për të drjetuar skuadrën.
Sa i përket prurjeve të tjera, Shpat Ismajli, shqiptari i lindur në Angli është bashkangjitur me durrsakët dhe është regjistruar në listën zyrtare. Ai është i datëlindjes 1995, ndërsa ende nuk ka plotësuar 21 vjeç. Ka qenë pjesë e skuadrave angleze si Reading dhe QPR dhe është aktivizuar me ekipin tonë kombëtar të të rinjve.