
Partizani ka zhvilluar konferencën për shtyp para sfidës me Teutën, që do të luhet nesër në orën 17:00, në stadiumin "Elbasan Arena". I pranishëm në këtë konferencë, ka qenë edhe mjeku i skuadrës, Dhimosten Gjini, i cili ka folur për gjendjen e Mazrekajt. Ai ka deklaruar që fantazisti kosovar shumë shpejt do të jetë në fushën e lojës, dhe brenda muajit dhjetor pritet të luajë sërish.
"Mazrekaj i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale shumë delikate, dhe më pas zhvilloi një proçes të gjatë riaftësimi ,fakt i cili e detyroi të qëndronte për një periudhë të gjatë jasht grupit. Mazrekaj u aktivizua në takimin e kupës ndaj Beslidhjes ndeshje në të cilën ndjeu sërisht dhimbje . Aktualisht gjendja e Mazrekajt është drejt përmirësimit falë programit të specializuar që po bëhet nga fizioterapisti Rexha dhe përgatitësi atletik Corrado, dhe besojmë se sa më shpejt Lojtari do të rikthehet të jetë kontigjent aktiv i skuadrës. Mungesa e Mazrekajt është vetëm një problem mjekësor nuk ka asnjë faktor tjetër siç mund të aloduhet për mungesën e tij në fushë. Stafi mjekësor është optimist se deri në muajin Dhjetor Mazrekaj do të jetë i gatshëm për tu rivënë në shërbim të ekipit. Gjej rastin të falënderoj këtu edhe partnerin tonë kryesor “Spitalin Amerikan” që mundëson në kohë rekord vizitat mjekësore apo ndërhyrjet e ndryshme kirurgjikale në shërbim të lojtarëve tanë", ka përfunduar mjeku i skuadrës së kuqe.
Kujtojmë që Mentor Mazrekaj ka 9 muaj që nuk luan në fushën e blertë, si shkak i këtij dëmtimi. Ndërsa shumë shpejt ai pritet të rikthehet për të ndihmuar skuadrën në fazën ofensive.