
Një lajm i mirë vjen nga Gjirokastra teksa bëhet me dije që presidenti i Këlcyrës, Klemend Ndoni ka siguruar futbollistët që do të marrin rrogat e tyre për muajt mars dhe prill, pavarësisht situatës së krijuar nga COVID 19.
Përmes një njoftimi në kanalin zyrtar, klubi i Kategorisë së Dytë lajmëron se të gjithë lojtarët do të paguhen për dy muajt e sipërpërmendur.
“NJOFTIM! Duke marrë shkas prej situatës së krijuar për shkak të COVID 19 dhe gjendjes së vështirë ekonomike të shumë klubeve në kategorinë tonë, presidenti i ekipit, Klemend Ndoni garanton se të gjitha rrogat (Mars, Prill) do të kalojnë në llogaritë e lojtarëve duke respektuar kështu kontratën e firmosur në fillim të sezonit”, shkruhej në kanalin zyrtar të klubit gjirokastrit.
Kujtojmë që Këlcyra ndodhet në Grupin B të Kategorisë së Dytë, ku renditet në vendin e shtatë.