
Kukësi do të udhëtojë drejt Antalias për të zhvilluar fazën përgatitore në kuadër të gjysmës së dytë të sezonit. Drejtuesit e verilindorëve kanë nisur nga puna për të përforcuar skuadrën në repartet që kishin mangësi në dy fazat e para. Eduart Rroca ishte futbollisti i parë që e bëri "sefte" te kuksianët në këtë merkato dimri, ndërsa pas tij do të pasojë Vasil Shkurtaj.
Për sulmuesin e njohur ka pasur mjaft aludime, por kalimi i tij te Kukësi është çështje orësh. Prej 2 muajsh presidenti Safet Gjici ka paguar rreth 70 mijë euro për kartonin e tij, duke e prenotuar në këtë mënyrë për pjesën e dytë të sezonit. Shtatlarti i Luftëtarit do të udhëtojë drejt Turqisë së bashku me ekipin verilindor, për t'u vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu.