Kombëtarja U-15 ka mbyllur me sukses grumbullim 3-ditor me lojtarët e kësaj grupmoshe që aktivizohen në klubet dhe akademitë e futbollit shqiptar.
Trajneri Armand Dama, ka vëzhguar nga afër 20 lojtarët e grumbulluar, që janë stërvitur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku është punuar më shumë në aspektin fizik, teknik si dhe taktik individual.
Mesditën e sotme është zhvilluar edhe ndeshja miqësore me ekipin U-15 të Qendrës Rajonale Fier. Shqipëria U-15 ka fituar me rezultatin 8-0 ndërsa trajneri Armand Dama pati mundësinë për të aktivizuar të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Pas këtij grumbullimi rutinë, puna me futbollistët e talentuar kuqezi vijonë me programin “Step By Step”.
Dy ditë në javë, lojtarët e grupmoshës U-15, U-17 dhe U-19 stërviten në “Shtëpinë e Futbollit” nën urdhrat e trajnerëve të ekipeve Kombëtare të moshave, ku synohet rritja e cilësisë së lojtarëve vendas, që në të ardhmen ato të bëhen baza e ekipeve Kombëtare të moshave.