
Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të Kategorisë së Parë, të vlefshme për javën e katërt. Në Grupin A, Vora ka luajtur me Erzenin, sfidë e mbyllur me rezultatin 0-0. Edhe pse miqtë kanë qenë disa herë pranë shënimit, fundi i takimit u ka dhënë të dy skuadrave nga 1 pikë. Pas kësaj ndeshje, Erzeni renditet në vendin e pestë me 4 pikë, ndërsa Vora në të fundit me vetëm 1 pikë.
Nga ana tjetër, në Grupin B Tomori ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme kundër Pogradecit. Beratasit e nisën mirë duke realizuar prej minutës së 6-të me Camkën, ndërsa në të 30-të, Jahaj barazon shifrat. Pjesa e dytë nis vrullshëm sërish për vendasit që arrijnë të shënojnë dhe vulosin rezultatin 2-1 me Kasmollarin. Pas kësaj sfide, Tomori renditet në vendin e katërt me 7 pikë, ndërsa Pogradeci ende s'ka marrë asnjë pikë në këtë sezon futbollistik.