Fitorja e madhe ndaj Luftëtarit në shtëpinë e gjirokastritëve 5-1 e ka motivuar maksimalisht kapitenin e ri dhe sulmuesin e Kastriotit Jurgen Vatnikaj.
Në një prononcim për “Supersport”, 23-vjeçari kryeqytetas ndien se triumfi i pabesueshëm ndaj Luftëtarit fundjavën e kaluar e ka ndryshuar klimën në kampion krutan. Përballë Skënderbeut favorit, pavarësisht ecurisë negative, Vatnikaj beson se Kastrioti do të sigurojë rezultatin e dëshiruar.
“Transformimi i Kastriotit? Arsyeja kryesore është puna e profesor Devollit, që më ka mbështetur dhe ndihmuar shumë. Edhe dëmtimi në fazën e parë, më la mbrapa me përgatitjet dhe kjo ndikoi në paraqitjen time. Triumfi në Gjirokastër befasoi në radhë të parë vetë futbollistët e Kastriotit, megjithatë ajo fitore i përket së shkuarës dhe është e detyrueshme të shmanget euforia.
Fitorja që dha shpresë? Kam përshtypjen që do të ndikojë paksa, pasi jemi djem të rinj, por nëse dëgjojmë trajnerin dhe fjalët e tij, mund të shmangim sadopak euforinë”, shtoi sulmuesi.
Beteja me Skënderbeun? Janë ekipi më i mirë në Shqipëri, në 7 vitet e fundit dhe meritojnë vlerësimet maksimale, por shpresojmë dhe besojmë se do marrim rezultate”, deklaroi Vatnikaj.
Kastrioti e pret Skënderbeun në stadiumin e Fushë-Krujës “Redi Maloku” ditën e shtunë në orën 14:00.