Jurgen Çelhaka ka lënë pas dëmtimin dhe pritet që javën që vjen të jetë gati për trajnerin Dede. Mesfushori i Tiranës ka folur sot para medieve, duke treguar se u përball me një dëmtim të vështirë.
Mesfushori shpreson që të fitojë sa më shpejt gjendjen fizike, ndërsa problemet e golit sipas tij do zgjidhen nga Muçi dhe Seferi. Çelhaka bën një retrospektivë nga sezoni I shkuar, duke treguar se bardheblutë e nisën jo mirë sezonin, ndërsa në fund ngritën trofeun e kampionit.
“Gjendja ime është shumë e mirë, jam rikthyer pas një kohe të gjatë. Tani jam gati në 100%-in tim, vetëm kondicioni im fizik nuk është aty ku duhet. Shpresoj me stërvitje do të arrij aty ku duhet dhe nga java tjetër, kismet Zotit, do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë.
Ka qenë shumë e vështirë, nuk isha përballur asnjëherë me kështu dëmtimesh, por të gjithë çunat më kanë qëndruar afër, të gjithë drejtuesit më kanë qëndruar afër. Kjo më ka bërë që të mos e ndjej fare këtë dëmtim.
Skuadra ka bërë ndeshje shumë të mira, të gjithë çunat kanë dhënë 100%, vetëm çështja e golit nuk është zgjidhur shumë mirë. Besoj se Seferi dhe Muçi do e zgjidhin çështjen e golit.
Konkurrenca? I bën mirë ekipit, i mirëpres të gjithë lojtarët e mirë. Toli ka bërë ndeshje të mira, edhe unë mund të bëj ndeshje të mira tani që kthehem. Mund të luaj me Tolin dhe Bathën, i takon trajnerit.
Titulli? Mendoj se Tirana duhet të mendojë për ndeshjen e ardhshme. Edhe vjet kështu e nisëm dhe e përfunduam me titullin kampion. Ndaj Kastriotit është ndeshje e vështirë, ata janë agresivë, por ne jemi Tirana, luajmë në shtëpinë tonë dhe shkojmë vetëm për fitore.
Ndihem mirë, ndihem i vlerësuar, por nuk më takon mua të flas për këto gjëra. Për momentin dua vetëm të kthehem dhe të jap më të mirën për Tiranën”, tha mesfushori 20 vjeçar.