
Ish-drejtori i stadiumit "Qemal Stafa", Eduard Prodani ka folur për impiantin më të ri që po ndërtohet në kryeqytet, "Arena Kombëtare". Prodani është optimist për ecurinë e punimeve dhe shprehet se punimet e stadiumit do të përfundojnë brenda kohës së caktuar. Por, ai ka rezerva për sa i përket sistemit të ndriçimit.
Prodani është kundër teknologjisë së fundit që përdoret për ndriçimin e stadiumeve teksa për "Panorama Sport" është shprehur: "Për sa i përket ndriçimit të stadiumeve, di që deri në këtë stad zhvillimi sistemet LED nuk kanë paraqitur avantazhe aq të mëdha ndaj sistemeve tradicionale, sa të sugjerohet braktisja e tyre. Për të bërë më të mirën, mendoj se vendimi duhet marrë pas konsultimit me ekspertë të pavarur, pasi ndryshe rrezikojmë të biem në grackën e kompanive të interesuara që shesin teknologji të caktuara", ka deklaruar Eduard Prodani.