
Teksa kampionati mbaroi, të gjithë e harruam Kamzën. Klubi dhe lojtarët e tij kanë mbetur prej mëse 3 muajsh në mes të "katër rrugëve" pasi ende nuk është marrë një vendim nga drejtuesit çfarë do të projektojnë për sezonin e ri. Në këtë situatë, ku skuadra është dërguar në Kategorinë e Dytë është thuajse e pamundur që lojtarët të qëndrojnë.
Njëri prej titullarëve të këtij sezoni të Kamzës Orjad Beqiri u rrëfye për Newsport.al. Ai tregon se për 3 muajt që ekipi nuk luajti për shkak të përjashtimit nga FSHF-ja, lojtarët nuk janë paguar dhe mbeten në pritje të përgjigjes nga Federata për zgjidhjen e kontratave. Ish-futbollisti i Flamurtarit dhe Luftëtarit pranoi se nuk do të qëndrojë me ekipin për sezonin e ri dhe se ka marrë oferta nga skuadra të Shqipërisë dhe Kosovës.
-Çfarë ka ndodhur te Kamza gjatë kësaj kohe? Jeni takuar me drejtuesit e klubit, keni arritur në ndonjë vendim?
Me sa jam informuar që pas dënimit që na u komunikua nga FSHF-ja se do të luajmë në Kategorinë e Dytë, nuk e di nëse do të marr pjesë apo jo për sezonin e ri. Që pas daljes së vendimit, nuk kam komunikuar me drejtuesit.
-Keni kontaktuar me klube të tjera të Shqipërisë për t'u ofruar? Ka patur interes karshi jush?
Kam marrë disa oferta si nga Shqipëria po dhe nga Kosova, por për momentin nuk mund t'jua bëj të ditur emrat, pasi duhet të jem i sigurtë se ku do të shkoj. Më duhet t'i vlerësoj mirë projektet dhe objektivat e tyre.
-Drejtori i Kamzës Andi Matraxhiu bëri me dije para disa kohësh se FSHF-ja nuk ka kthyer përgjigje konkrete për zgjidhjen e kontratave të lojtarëve. Ju keni bërë personalisht kërkesë në zyrat e Federatës, keni marrë përgjigje apo ende asgjë?
Nuk e di për çfarë ka folur drejtori se nuk e kam dëgjuar. Ne si lojtarë bëmë një peticion në FSHF nëse do të na mundësonin të luanim dikur tjetër meqë ekipi jonë u dënua rëndë dhe të mos ngelnim pa luajtur prej 3 muajsh de ri në përfundim të kampionatit. Nga FSHF-ja nuk na u kthye qoftë dhe një përgjigje negative.
-Përveç ish-mesfushorit Bruno Arrabal dhe ish-trajnerit Gentian Stojku që janë larguar, pjesa tjetër e skuadrës dhe klubit nuk ka shpallur divorc zyrtar me ekipin. Ju personalisht çfarë vendimi keni marrë?
Nuk mund të flas për lojtarët e tjerë, po unë personalisht do të luaj diku tjetër.
-Klubi ka apeluar për heqjen e dënimit? Do prisni për përgjigje përfundimtare dhe pastaj do largoheni?
Apelimi duhe të ishte bërë në kohën e duhur. Me sa di unë, klubi nuk ka bërë asnjë gjë të tillë dhe kjo afatet kanë kaluar dhe nuk besoj se do të merret parasysh.
-Për sa i përket pagave, për këto 3 muajt e fundit të sezonit që nuk keni luajtur, jeni shlyer financiarisht nga klubi i Kamzës?
Këto muaj nuk jemi paguar, sepse klubi e ka të pamundur ta bëjë këtë ndërkohë që ne jemi dënuar për çdo aktivitet /Dario Velaj/