Është vetëm 19 vjeç dhe shihet si një ndër talentët më premtues në Belgjikë. Ka luajtur për kombëtaren Belge të të rinjve, por më pas i ka refuzuar ata pas ftesës që ka marrë nga kuqezinjtë U-17. Ky është Amarildo Gjoka, i cili në një prononcim për newsport.al ka rrëfyer synimet e tij për të ardhmen. Gjithashtu lojtari më i ri i Kortrijkut, nuk e ka fshehur dëshirën të jetë pjesë e Kombëtares U-21 të Redi Jupit. Por ëndrra e tij më e madhe është të jetë pjesë e skuadrës së parë të kuqezinjve.
- Ku i keni fillesat si lojtar?
Si fillim e kam nisur karrierën time tek një klubi i vogël, afër vendit ku jetoj, konkretisht Kwick Eine.
- Sa i lumtur jeni te Kortrijk?
Te Kortrijku jam i lumtur sepse shpresoj që mundësitë dhe shanset e klubit për të punuar me të janë rritur. Ata janë shumë më të mëdhaja se te KAA Gent. Të paktën kështu mendoj unë për momentin për arsyen se nga fillimit i sezonit, unë si lojtar kam bërë herë stërvitje me ekipin e parë dhe ndeshje miqësore.
- Me të kaluar te skuadra e re, keni shënuar. Si ndiheni për këtë fakt?
Ndihem shumë optimist, megjithëse si mesfushor unë golavarazhin e kam në të gjitha klubet të mirë. Edhe vjet kam shënuar 17 gola.
- Pozicioni juaj në fushën e lojës?
Luaj si mesfushor i avancuar dhe sulmues.
- Ç'synime ke për të ardhmen?
Dua të arrij sa më shumë rezultate dhe të jem në top formë për të gjitha ndeshjet në vazhdim.
- Kujt ia dedikon arritjet deri më tani?
Gjithçka ia dedikoj punës time që me këmbëngulje që në moshën 5-vjeçare arrita këtu ku jam sot. Gjithashtu dua të falënderoj babin dhe familjen time që më kanë ndihmuar dhe mbështetur për gjithçka.
- Një mendim për largimin e disa lojtarëve kuqezi nga Shqipëria...
Kur flas për vendin tim, aty ku unë linda kam shumë emocion dhe kur dëgjoj për futbollin shqiptar që është ngritur shumë, më bëhet zemra mal. Asnjëherë nuk më vjen mirë kur në futboll bëhen gjëra të padëshirueshme dhe në dëmin e cilësisë dhe të talentit që ka në futbollin tonë.
- Prisni një ftesë nga Jupi?
Unë kam një ëndërr të madhe çdo ditë që ecën, unë dëshiroj të diçka për vendin tim dhe e shpresoj këtë. Unë kam qenë pjesë e kombëtares belge dhe e kam refuzuar kur kombëtarja Shqiptare më bëri ftesën e parë, ku mora pjesë te kuqezinjtë U-17. Për sa i përket ftesës së Jupit, dua të them se ai i ka cilësitë dhe aftësitë profesionale, ku vendos vetë për ftesën. Unë personalisht po e pres me shumë dëshirë ftesën e tij.
- Ëndërroni të vishni fanellën e Kombëtares së madhe?
Ëndërra më e madhe që kam në jetë është kjo, të bëhem një ditë pjesë e kuqezinjve në skuadrën e parë.
- Një apel për lojtarët kuqezi?
Dua t'iu them që të japin gjithçka që ata munden për Shqipërinë tonë. Në çdo kohë të jemi gati për vendin tonë dhe të bëjmë që futbolli i Kombëtares tonë të njihet mirë në të gjithë botën.