Shtatë fitore në po kaq ndeshje të këtij sezoni në Kategorinë e Parë për Kamzën që është duke ecur me ritme dhe hapa gjigantë drejt Superligës.
Fitorja e fundit në Lezhë kundër një rivali direkt si Besëlidhja ka konfirmuar edhe një herë, se Grupi A i Kategorisë së Parë ka tashmë një pretendent potencial për të arritur elitën e futbollit shqiptar.
Një merkato me emra të njohur të futbollit shqiptar si Morina, Sefa, Ferraj dhe të tjerë, një stadium i rikonstruktuar, financa të shëndosha dhe një trajner si Bledar Devolli, i cili po merr maksimumin nga kontingjenti i futbollistëve që ka në dispozicion. Kjo është Kamza e këtij sezoni!
Në një intervistë për newsport.al, numri 1 i stolit të Kamzës, Bledar Devolli ka folur për ecurinë e ekipit që drejton, objektivin drejt Superligës, ndonëse pranon se nuk është arritur ende asgjë dhe se duhet shumë punë për të mbyllur me sukses këtë sezon.
“Gjithë puna e bërë në verë, në ndërtimin e kësaj skuadre, tashmë po jep frytet e veta. Normale që jam i lumtur për ecurinë që kemi pasur në këto 7 javë të para të kampionatit. Por ende nuk kemi fituar asgjë, pasi ka akoma shumë ndeshje për t’u luajtur dhe kampionati përfundon në mars. Deri atëherë duhet të vazhdojmë me këto ritme dhe të mos biem pre e euforisë”, deklaron trajneri Devolli për newsport.al.
Numri 1 i stolit të Kamzës e pranon se në fillim ka pasur shumë trysni në ekipin që drejton duke ditur faktin se në skuadër u afruan shumë lojtarë me emër dhe duke pasur si objektiv absolut ngjitjen në Superligë.
“Tashmë ekipi është disi më i qetë, sepse jemi të shkëputur nga rivalët në tabelën e klasifikimit. E pranoj se në fillim kishim pak më shumë tension se tani, por dalëngadalë, falë edhe rezultateve pozitive në fushën e lojës arritëm që të përballonim me sukses edhe një këtë gjë. Duhet të vazhdojmë kështu për të arritur me sukses objektivin.
Edhe vetë lojtarët e dinë se kemi mundësi për më shumë dhe një gjë të tillë e shoh tek impenjimi i tyre në stërvitje, pasi janë të përqendruar maksimalisht”, shprehet Devolli.
Në ndeshjen e fundit kundër Besëlidhjes, ish-sulmuesi i Tiranës, Skënderbeut, Flamurtarit dhe Kukësit, tashmë pjesë e Kamzës, Mario Morina shënoi dy gola në fitoren 3-1 të ekipit që drejtohet nga trajneri Devolli, ndërsa numri 1 i skuadrës së Kamzës pranon se forma e mirë e 24-vjeçarit e gëzon edhe atë vetë.
“Më vjen mirë për Morinën që po arrin një formë të mirë dhe që po ndihmon ekipin me golat e shënuar.
Erdhi pak vonë në fazën përgatitore dhe nuk u aktivizua shumë me Kukësin në sezonin e shkuar, çka e penalizuan pak në fillim të këtij kampionati.
Por, Morina është një lojtar me cilësi të mëdha dhe një sulmues që di të japë më të mirën nga vetja.
Gjithsesi, Kamza përveç Morinës ka edhe shumë lojtarë të tjerë cilësorë si Sefa, Ferraj, Rezi dhe shumë të tjerë dhe besoj se të gjithë së bashku do t’ia dalim të ngjitim skuadrën në Superligë”, përfundon trajneri i Kamzës, Bledar Devolli. Newsport.al/ Andi TANKU