
Andrea Agostineli ka dhënë një intervistë për herë të parë në ambjentet e stadiumit të Skënderbeut. Tekniku italian është shfaqur i emocionuar teksa ka deklaruar që te korçarët do të pretendojë titullin kampion për herë të shtatë.
-Agostineli së pari mirësevini në qytetin e Korçës, pasi është hera e parë që vini në këtë qytet si trajner i kampionëve…
Faleminderit të gjithëve dhe dua të them së pari këtu në këtë sallë konferencash që mezi prisja që të vinte ora e stërvitjes. Ishim 20 ditë pushim dhe ja sot jemi këtu për të filluar përgatitjet për sezonin e ri. Uroj që të gjithë të jemi me këmbë të mbarë.
- Profesor herën e fundit që ishit në këtë sallë konferencash ishte pikërisht ajo ndeshje e fundit ku fituat 0-1 me Partizanin në Korçë. Asaj kohe thatë që Partizani do fitonte titullin por nuk e fitoi. Sot jeni në krye të Skënderbeut…
Nuk është një gjë që ndodh ç’do ditë, ndërkohë që ja unë sot jam trajner i Skënderbeut. Përpara disa kohësh isha trajner i Partizanit, ndërkohë që tani jam në krye të Skënderbeut. Kjo është jeta e përditshme e futbollit, që sot je në një skuadër tjetër dhe nesër ndërron drejtim. Jam profesionist dhe dua të falenderoj presidentin Ardjan Takaj që më dha mundësinë të jem pjesë e Skënderbeut.
-Duke qëndruar këtu. Përse Takaj mendoni se ju ka zgjedhur të jeni ju në krye të Skënderbeut dhe jo dikë tjetër?
Besoj se kam qenë trajneri që e kam bërë më shumë të vuajë Skënderbeun dhe këtë përgjigje e kam dhënë edhe herë tjetër.
- Sa e lehtë është të sjellësh në kushte loje një skuadër, aq më tepër Skënderbeun që nuk është në nivelin maksimal për shkak të eleminimit nga Champions-League?
Normalisht që kjo për ne duhet të kthehet në forcë. Tani duhet ta harrojmë atë “ligësi” që ndodhi dhe duhet të mendojmë që të shpallemi sërish kampionë. E dimë që nuk është e lehtë dhe në jetën time asnjëherë nuk kam pasur diçka të lehtë.
- Te ekipi i Partizanit nuk kishte lojtarë të mëdhenj, por i dhatë një zemër të madhe atij grupi lojtarësh aq sa fituat në Korçë. A do të jetë e lehtë t’u japësh këtë zemër një skuadre me lojtarë kaq të mëdhenj si Skënderbeu?
Unë mendoj se në futboll kjo është gjëja e parë që duhet të bëj. Të japësh shpirtin për një skuadër është gjëja e parë që duhet bërë dhe më vonë duhet një organizim shumë i mirë dhe kualitativ. Dhe, në qoftë se nuk jepet shpirti pasi kjo është e para edhe po të jesh shumë herë më i fortë nuk del dot fitues. Nuk mund të mos e kemi këtë karakter si ekip, domethënë dëshirën për të dalë gjithmonë fitues.
- Por Skënderbeu sikur nuk e ka këtë zemrën e madhe, pasi e ka treguar edhe me ekipe të vogla, që luan shumë butë?
Ç’do skuadër ka të mirat dhe difektet e veta. Vitin e kaluar përdora një frazë ku Partizani ishte si Atletiko e Madritit, pra një skuadër që luftonte dhe kishte dëshirë dhe me këtë dua të them që më pëlqen që Skënderbeu të kthehet në një Atletiko Madrit, por me cilësitë e Barcelonës.
-Sa e lehtë do të jetë për ty të ndërtosh këtë grup lojtarësh me nivelin mbi mesatar?
Ai që njihet si lojtar i mirë duhet ta ketë vetë dëshirën për të qenë pjesë e ekipit. Që të kem lojtarë të mirë është një shans i madh për ç’do trajner. Dhe, gjithmonë këta lojtarë të mirë, duhet të jenë të bashkuar me grupin dhe jo vetëm për veten e tyre.
-Agostineli Skënderbeu nuk morri pjesë në Champions League këtë verë. Mendimi juaj?
Edhe tani nuk e di përse ka ndodhur kjo dhe nuk dua t’ia di përse. Ne duam të shikojmë vetëm përpaa dhe mos të kthejmë më kokën pas. E rëndësishme është që ta harrojmë atë që iku dhe të flasim për Skënderbeun e tanishëm dhe të së ardhmes.
-Lojtarë të tjerë, më konkretisht afrime të tjera do të ketë te Skënderbeu?
Unë mendoj që tani jemi të kompletuar. Duke parë dhe duke ecur në ndeshjet miqësore që do të zhvillojmë në ditët në vazhdim, atëherë do të shikojmë se ç’farë mund të bëjmë. Me pak fjalë deri tani jemi të kompletuar dhe nuk kam nevojë për afrime të tjera në skuadër.
-Agostineli si të rri kjo fanela bardhekuqe që keni veshur?
Dua të flas me ndërshmëri. Duke parë edhe ato kohë që ne qëndruam në Austri, më duket paksa e vështirë që kam qenë pjesë e Partizanit dhe tani jam pjesë e Skënderbeut, skuadër ndaj të cilës luftova sezonin e kaluar. 2-3 ditët e para ishin pak të vështira, tani më duket sikur jam në shtëpinë time sepse u mësova me këtë grup. Si profesionist dua të fitoj gjithçka me këtë ekip dhe të kem rezultate fantastike.
-Te Partizani titulli ka qenë objektiv që e kishte vendosur klubi, ndërkohë që te Skënderbeu titulli është detyrim…
E di shumë mirë dhe jam shumë i nderuar që presidenti më dha këtë mundësi që te jap më të mirën në krye të skuadrës për të arritur objektivin që kemi.
-Edhe pse është akoma shpejt për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, e fiton titullin e shtatë radhazi Skënderbeu?
Jemi të detyruar të bëjmë gjithçka pr të arritur titullin e shtatë radhazi. Nuk është e lehtë, por do të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshmë që të arrijmë përsëri ta fitojmë trofeun e shtatë radhazi. Prandaj jam i detyruar që të punoj fort për të siguruar Champions League për sezonin tjetër.