
Erald Çinari ka shlyer dënimin e dhënë nga FIFA dhe tashmë është i gatshëm për trajnerin Ilir Daja. Është klubi i kuq që përmes një njoftimi për shtyp bën me dije se 24-vjeçari mund të zbresë në fushë menjëherë. Pas insistimeve të kryeqytetasve, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka pranuar kërkesën e tyre për të lejuar aktivizimin e futbollistit të kuq.
"FK Partizani njofton se pas korrespondencave të vazhdueshme me FIFA-n, kjo e fundit ka pranuar kërkesat e klubit për të lejuar aktivizimin e lojtarit Erald Çinari, me efekt të menjëhershëm. Për sulmuesin e kuq periudha e pezullimit konsiderohet e shlyer dhe tashmë Çinari ka rifituar të drejtën për të luajtur ndeshje zyrtare me Partizanin", thuhej në njoftimin e klubit të Partizanit.