Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, pas humbjes 3-1 me Partizanin në “Selman Stermasi” është shprehur se Partizani e kryeson kampionatin me meritë, por që në fakt sonte ndaj skuadrës së tij janë bërë padrejtësi, duke akuzuar më shumë arbitrin anësor.
“Me lojtarët që kishim menduam t’i përgjigjeshim Partizanit që kryeson me meritë. Loja mbarojë, por është fakti që kartonin e ka dhënë arbitri anësor i krahut. Nuk e di se ku mund të shohë ai se fusha është 70 metra. E sheh anësori dhe nuk e sheh kryesori. U ndëshkuam në momentin më të mirë tonin. Kemi marrë një gol që ishte i evitueshëm. Ndikoi negativisht në moralin e e ekipit, që lufton në fushë, por edhe nga një anësor që është 70 metra larg. Natyrshëm që kam një suport,sepse lojtarët me eksperiencë janë në krah të stafit. Me gjithë mungesat që kemi, mundohemi të bëjmë një lojë të hapur, por me 10 lojtarë kundër Partizanit është shumë e vështirë. Flamurtari në këto momente mundet që të hedhë në fushë lojtarë të akademisë. Me Skënderbeun mbarova kontratën dhe kam qenë i nderuar që e mbylla me trofe, por më pas u quajta tradhatar. Nuk jam nga ata, do iu shkojë gjërave deri në fund. Ne jemi një grup që edhe pse me lojtarë të rinj, tregojmë se jemi aty ku duhet. Shtysa dhe motivi që më mban është se në Vlorë ndihem shumë i respektuar dhe i dashur. Përveç profesionit është edhe morali që një trajner ka. Do të vazhdojmë me idenë se gjërat mund të përmirësohen me të rinjtë e akademisë. Pika e kthesës në ndeshjen e sotme ishte dalja me karton të kuq të Ribajt, sepse ai bën një lojë të mirë në të gjitha drejtimet, pika e dytë ishte ndoshta edhe evitimit të golit të dytë. Lojtarët kanë të drejtë të festojnë brenda kuadratit të fushës. Lojtarët u kthyen andej nga nuk kishte tifozë. Do të thoja që do të vazhdojmë të festojmë, se nuk po bëjmë asgjë gabim me atë mënyrë festimi. Duke qenë që kemi edhe mungesa edhe lojtarë që akoma nuk janë bërë pjesë e lojës taktike, kemi kërkuar që të ndryshojmë manovrën, pasi të mos qarkullojmë shumë topin. Mendoj që për aksionet që u ndërprenë për pozicion jashtë loje, por nuk ishin, besoj që ishin pjesë që ne i kishim përgatitur. Do i kërkoja Komisionit të Arbitrave që të shikojnë kompetencat e anësorët, sepse ata kanë marrë vendime më shumë se arbitrat kryesorë dhe po gabojnë shumë”, është shprehur trajneri i Flamurtarit Ilir Daja.