
Kush do të mendonte që në fundin e sezonit, veç finales së Kupës së Shqipërisë, Tirana dhe Skënderbeu do të luanin për dy objektiva komplet të kundërt. Në njërin krah Skënderbeu, pas ecurisë fantastike në fazën e dytë, pret në Korçë Tiranën që luan për mbijetesën dhe llogaritë nuk i dalin aspak mirë tre javë para fundit.
Mirel Josa rikthehet në Korçë, aty ku për katër vite jo vetëm fitoi katër tituj, por bëri historinë duke luajtur në grupet e Europa Leaguës. Në krahun tjetër, Ilir Daja arriti të bënte gjëra mjaft të mira me Tiranën në fillimin e sezonit, ku pas fitores me Skënderbeun në kryeqytet, drejtuesit bardheblu përmendën fjalën titull.
Daja sot është trajner te Skënderbeu, ndërsa Josa drejton Tiranën. Të hënën do të luajnë përballë njëri-tjetrit, një sfidë që do të ofroj emocione. Barazimi i vlen bardhebluve, ndërkohë që Skënderbeu luan vetëm për fitore. Daja apo Josa?! Përgjigjen do t’a japin lojtarët në fushë.