
Administratori i klubit Flamurtari Sinan Idrizi është totalisht pesimist për fatin e Ligës Profesioniste. Në një prononcim për Ora Neës, Idrizi sheh si shkaktar të falimentimit të kësaj nisme të futbollit shqiptar ligjen për financimin dhe sponsorizimin e sportit, i cili është kontradiktor me modelin e ekonomik të Shqipërisë.
"Si iniciativë e kam përkrahur dhe e përkrah deri në fund. Pra na duhet një Ligë Profesioniste për njerëz profesionist. Kjo është ana teorike e çështjes. Ana praktike është se cilët janë ata që do e krijojnë Ligën Profesioniste. Pra, nëse do të bëjmë skanerin e aktorëve që duan të krijojnë Ligën Profesioniste, do të shikojmë një tablo që nuk ka lidhje në terminologjinë, Ligë Profesioniste.
Pse? Poseduesit e aseteve dhe aksioneve kryesore të kësaj, të ashtëquajtur Ligë Profesioniste duhet të jenë ente publike shqiptare. Pra, e përsëris për Bashkitë që menaxhojnë dhe janë aksionere kryesore të të gjitha këtyre shoqërive që ne sot menaxhojnë. Pra, flas në rastin kontrekt Flamurtarin. Nëse unë do të vij dhe do të marr përsipër që të jem pjesë e Ligës Profesioniste, unë jam askushi. Jam vetëm një firmëtar i radhës. 100% aksioner i SHA-së është Këshilli Bashkiak i Vlorës. Po kështu, përjashto Partizanin janë të gjitha ekipet shqiptare.
Nëse ne nuk zgjidhin përfundimisht në mënyrë të qartë ose kapitalizëm ose bolshevizëm, Liga Profesioniste për mua është ajo dilema e madhe mes një virusi dhe një bakteri. Pra nuk ka të ardhme në syrin tim. Pra ky muhabet nuk fillon nga A-ja. A-ja është që sporti shqiptar duhet t'i kthehet kapitalizmit. Nuk duhet të ngelet peng i aseteve publike. Domethënë klubet shqiptare janë të gjitha me minus dhe vazhdojnë të mbeten në këmbë. D.m.th. me ligj ne duhet të kishim falimentuar të gjithë, duhet të kishim shfaqur falimentimin. Janë të gjitha hipokrizi. Klubet shqiptare janë qesharake, ose më mirë jemi qesharak", u shpreh Idrizi.