
Prej ditës së premte është pjesë e skuadrës tonë dhe braziliani Emerson
Brito Dos Santos duket shumë i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë. Në një
prononcim për faqen zyrtare të klubit, ai ka folur edhe për karrierën e
tij, ka folur për Palmeiras dhe stërvitjen nën drejtimin e kampionit të
Botës Luis Felipe Skolari. Po ashtu, 28 vjeçari ka folur edhe për
sezonin e kaluar në Oman që ka qenë më i miri i karrierës së tij,
ndërkohë që ka bërë edhe premtimin për të shënuar shumë gola edhe për
Vllazninë. Ja intervista e tij e plotë:
- Emerson, si e zgjodhët Vllazninë?
- Menaxheri im ka kontaktuar me njërin nga drejtuesit e Vllaznisë, kanë
diskutuar rreth meje dhe më pas, kanë arritur akordin që unë të jem
pjesë e kësaj skuadre dhe ja tek jam. Drejtuesit e klubit kanë parë disa
nga videot e mia të ndeshjeve të sezonit të kaluar në Oman dhe janë
bindur për aftësitë e mira prandaj dhe më ofruan firmosjen e kontratës.
- Tifozët e Vllaznisë e kanë pritur mirë ardhjen tuaj. Cili është premtimi juaj për ta?
- Jam shumë i etur për të nisur këtë eksperiencë të re. Premtoj të
dhuroj gjakun tim për këtë ekip dhe shpresoj shumë që tifozët të kënaqen
me futbollin tim.
- Cila është forma juaj fizike dhe a do të jenë gati për të luajtur që në ndeshjen e parë të kampionatit?
- Jam mirë fizikisht dhe shpresoj shumë që të jem i gatshëm për ndeshjen e parë që luhet javën e ardhshme.
- Momentet më të bukura të karrierës tuaj besoj se janë ato tek Palmeiras?
- Po, ishin momentet më të bukura, Palmeiras është një klub i madh në
Brazil. Për më tepër, pata kënaqësinë të stërvitem nga një kampion bote,
Luis Felipo Scolari (Felipao).
- Sezoni më i mirë i karrierës tuaj, cili është?
- Sezoni im më i mirë është ai 2017-2018 kur kam shënuar 10 gola dhe kam dhënë 7 asiste për ekipin tim në Ligën e Omanit.
- Premtoni shumë gola edhe për Vllazninë?
- Po patjetër që premtoj gola, por dëshira ime e madhe është të shpallem kampion me Vllazninë.